MBYLLET ME SUKSES ETAPA E PARË E “TOUR DE KOSOVA 2018”

Garues nga vendi, rajoni e mbarë Evropa kanë marrë pjesë në edicionin e 18-të të “Tour de Kosova”.

Gara më prestigjioze e çiklizmit, ka nisur paraditen e së enjtes në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, për të vazhduar në relacionin Mramor-Novobërdë-Kamenicë-Gjilan-Ferizaj.

Në këtë etapë të gjatë 115 km, garuesit janë përballur edhe me sfida të forta malore, ndërsa ekipi holandez Breda ka dominuar tërësisht.

Pas 60km të parë grupi i liderëve ka qenë homogjen me një shkëputje të lehtë nga pjesa tjetër, ndërsa deri në qytetin e Gjilanit, kryesimin e ka marrë Zani Sylhasi i Kombëtares së Kosovës.

Mirëpo skuadra mysafire nga Holanda, ka treguar potencalin e saj në 30km e fundit, kur dy të parët u shkëputën nga pjesa e mbetur e garuesve.

Kohën më të mirë në këtë etapë e pati holandezi Innokenty Zavyalov i klubit Breda me kohë 2 orë, 49min e 50 sekonda.

Vetëm katër sekonda pas tij u rëndit, anëtari i së njëjtës skuadër, Dielissen, ndërsa çiklistit tjetër holandez Daaf Koemans i takoi vendi i tretë me kohën 2:57:38.

Rezultatin më të mirë te Kosova e regjistroi Zani Sylhasi i Gjakovës, që arriti në cak pas 3 orë e 1 minute.

Në konkurencën ekipore, Breda e Holandës është e para pas etapës së parë, vendin e dytë e zë Kosova, kurse të trretin ekipi maqedonas 15 Maji.

Etapa e dytë fillon nesër nga Ferizaj dhe përfundon në Gjakovë dhe do të jetë etapa më e gjatë e këtij edicioni, me total 140km.