Presidenti i FÇK-së Avni Nuha, gjatë kësaj jave ka mbajturnjë seri takimesh me përfaqësues të institucioneve kompetente, me të cilët ka biseduar për rëndësinë e zhvillimit të kampionatit të Kosovës në çiklizëm.
z. Nuha në serinë e këtyre takimeve, të enjten është takuar me drejtuesit e KOK, e poashtu edhe me përgjegjësit për siguri në Kosovë.
Sipas ligjit aktual dhe situatës së krijuar në vend, aktivitetet si kjo e çiklizmit nuk lejohen, sepse forcat e rendit nuk kanë dhënë lejen për organizimin e kampionatit.
Duke tentuar që të gjendet një zgjidhje, z. Nuha ka prezantuar dy opsionet, që të shpëtohet kjo garë:
1. Gara të shtyhet në pjesën e dytë të shtatorit
2. Gara të zhvillohet në Shqipëri.
Të dyja opsionet mbeten si të mundshme, derisa ditëve në vijim do të jepen detaje për secilin prej këtyre mundësive, që do të shihet si më realja për ta zhvilluar garën.
FÇK ka prioritet shëndetin dhe mirëqenien e sportistëve dhe gjithë qytetarëve, për çka do të respektojë vendimet e dala nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit.
Megjithatë FÇK uron që së shpejti të gjendet një zgjidhje për organizimin e kampionatit, brenda apo jashtë Kosovës dhe për këtë po bën përgatitje maksimale.
Në një afat sa më të shkurtër, çiklistët do të njoftohen për datën dhe vendin e mbajtjes së kampionatit të Kosovës në çiklizëm.