13 trajnerë të Federatës së Çiklizmit të Kosovës (FÇK) janë pajisur të shtunën me çertifikata, pas trajnimit pesë ditorë të mbajtur në Hotel Sirius në Prishtinë. Atyre u ligjëroi eksperti ndërkombëtar nga Spanja, z.Alejandro Gonzalez-Tablas, i cili edhe bëri ndarjen e çertifikatave, bashkë me kryetarin e FÇK-së, z.Avni Nuha, si dhe anëtaren e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, znj.Besire Domaniku. Z.Nuha falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës, të cilët organizuan këtë kurs në mbështetje të Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
“Dihet që të gjitha federatat që pas përfundimit të konfliktit në Kosovë më 1999, ne nuk kemi pasur këso seminare të nivelit të lartë dhe me të vërtetë është kënaqësi dhe nderë, sepse na nevojiten këso shkëmbime përvojash të jashtëzakonshme të të gjitha federatave botërore në të cilat jemi pjesë e tyre”, tha Nuha.
Gonzalez Tablas, që u ligjëroi vijuesve të trajnimit, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen dhe ato që mësuan ligjëruesit. “Ky kurs është shumë i rëndësishëm për çiklistët e Kosovës, në mënyrë që të mësojnë gjëra të reja dhe të përmirësohen. Unë besoj se ata do të përmirësohen, sepse këtu kam parë potencial të madh”, theksoi ai.
Edhe vijuesit e trajnimit u ndanë të lumtur me atë që mësuan.
Kushtrim Ahmeti nga Klubi i Prishtinës uroi që kurse të tilla të organizohen edhe për nivelet tjera, në mënyrë që njohuritë e tyre të mos ngelin vetëm në ato që i mësuan këtu.
Krahas çiklizmit, gjatë këtij viti janë mbajtur trajnimet edhe për trajnerët e volejbollit, boksit dhe xhudos, kurse deri në fund të vitit pritet të organizohen edhe shtatë trajnime me federata tjera.
KOK, bazuar në ciklin olimpik 2017 – 2020, mbështetë ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve dhe të administratorëve të sportit.