NUHA: TOUR DE KOSOVA ARRITJE E MADHE NE UCI

Federata Botërore e Çiklizmit (UCI), ka vendosur që gara më e madhe e çiklizmit në vendin tonë “Tour of Kosova” të jetë edhe zyrtarisht në kalendarin zyrtare të garave të UCI-t.
Garës kosovare i është dhënë vlerësimi i klasit 2,2, që do të thotë se është aktivitet mbi 2 ditësh dhe mund të hyjë në të njëjtin klas me kompeticionet më të mëdha evropiane e botërore.

Lajmin për pranimin e Tour of Kosova në kalendarin e UCI-t, e ka konfirmuar vetë presidenti i Federatës së Çiklizmit të Kosovës Avni Nuha, i cili këtë e sheh si mundësi të mirë që tash edhe Kosova të jetë atraktive për të joshur çiklistët nga mbarë bota, përfshirë edhe ata elitarë që i kemi parë në Tour de Francë, Giro D’Italia apo Vuelta Espana.

Njëherit është vendosur qysh tash data e saktë e organizimit të Tour de Kosova, e cila do të mbahet më 26-28 Korrik 2019. Sipas Nuhës, qysh tash ka nisur interesimi për pjesëmarrje dhe federata që ai e kryeson ka marrë një mori telefonatash dhe mesazhesh nga garuesit e interesuar për të qenë pjesë e këtij aktiviteti.

Tour de Kosova është gara më e madhe dhe më me traditë e çiklizmit në Kosovë dhe si e tillë është vlerësuar nga viti në vit me nota të larta, si për nivelin e organizimit teknik ashtu edhe cilësinë e garuesve.