Tour de Kosova, të premten ka vazhduar me etapën e dytë dhe më të gjatën e këtij edicioni.
Nga Ferizaj, ciklistët pjesëmarrës kanë kaluar nëpër Shtime, Caralevë, Komoran, Skënderaj, e Klinë, për ta përfunduar në hyrje të qytetit të Gjakovës.
Gara nisi me ritëm të mirë nga ekipi kosovar, I cili në kilometrat e para, u shoqërua shumë afër nga maqedonasit e bullgarët, derisa dukej se kanë mbetur në hije holandezët, që e fituan etapën e parë.
Mirëpo potencialin e tij, ekipi Breda nga Holanda, e tregoi në momentet vendimtare duke e kalkuluar me përsosmëri fitoren e re të treshes së kësaj skuadre.
Me një shpejtësi mesatare prej 40,2 km/h, gara ka rrjedhur shpejtë dhe me më pak malore sesa në etapën e parë dhe atë që na pret në etapën e katërt.
Sido që të jetë, pjesa më problematike kanë qenë zonat urbane, ku forcat e rendit kanë bërë maksimumin për të siguruar garuesit, ndërkohë që në shumicën e rasteve edhe qytetarët kanë bashkëpunuar mirë, me disa përjashtime të vogla.
I pari në cak arriti Daaf Koemans, I cili pati kohën pre 3 orë, 37 minuta e 35 sekonda.
Kohën e dytë më të mirë e regjistroi holandezi tjetër Stefan Leegvater, 3:37:56, ndërsa edhe vendi I tretë I takoi anëtarit të klubit Breda, Bart Dielssen, me kohë 3:38:16.
Nga Kombëtarja e Kosovës, kohën më të mirë e pati Zani Sylhasi 3:39:13, I cili pati shkëlqimin më të madh te ekipi ynë në dy etapat e para.
Në konkurencën ekipore, pas dy etapave të para, VW Breda nga Holanda është në pozitën e parë, e përcjellur nga Kosova, që vazhdon ta mbajë pozitën e dytë.