TOUR OF KOSOVA GATI PËR EDICIONIN SPEKTAKULAR

Federata e Çiklizmit është e gatshme për edicionin e 19-të të garës më të madhe të çiklizmit në vendin tonë, Tour of Kosova.

Sivjet për herë të parë, kjo garë është e pranuar ndërkombëtarisht dhe do të organizohet nën umbrellën e Federatës Botërore dhe asaj evropiane.

Tour of Kosova është klasifikuar me shkallën 2.2 të vlerësimit, që i bie se është një shkallë tureve më të mëdha si ai i Francës, Italisë apo Spanjës.

“Fondi total i shpërblimeve do të jetë 5000 € për të trija etapat. Ky event duhet të futet edhe në kalendarin e MKRS-së, në mënyrë që në vitet e ardhshme të jetë buxhet i veçantë për këtë garë. E tërë gara e Tour of Kosova do të mbahet nëpër autostradat e reja të Kosovës”. – ka thënë presidenti i FÇK-së, Avni Nuha.

Përzgjedhësi i Kosovës Flurim Shala, është i bindur që kombëtarja jonë do të përfaqësohet në mënyrën më të denjë, pavarësisht një konkurence të fortë me rreth 130 çiklistë pjesëmarrës.

“Pas përgatitjeve që kemi patur në Shqipëri, e që janë treguar shumë të mira për ekipin tonë, ne do të vazhdojmë me grumbullim në Prizren, ku të ftuarit në kombëtare do të vazhdojnë ritmin e njëjtë të përgatitjeve, për përfaqësim sa më të mirë në këtë garë.” – deklaroi Flurim Shala, përzgjedhës i Kosovës në çiklizëm.

Nënkryetari i Federatës së Çiklizmit, Rafet Azemi ka shtuar se është privilegj e poashtu obligim shtesë për Federatën e Kosovës, që të kalojë edhe këtë sfidë, e cila i është besuar.
“Në Kosovë do të vijnë disa prej ekipeve më profesionale nga Evropa dhe SHBA-të. Është një test i madh për vendin tonë, për të treguar cilësi në organizim e mikpritje të mirë. FÇK do të bëjë më të mirën që kjo garë të mbyllet sipas parashikimit” – tha Rafet Azemi, nënkryetar i FÇK-së.

Tour de Kosova fillon të premten më 26 korrik 2019, me ceremoninë e hapjes që mbahet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, ndërsa starti i etapës së parë do të jetë në Shkabaj të Obiliqit.

Etapa e tretë dhe e fundit, do të jetë më e gjata, me 159km, nga Hani i Elezit, nëpër Prishtinë, Obiliq e për të përfunduar në Morinë, në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Tour de Kosova mbyllet të dielën më 28 korrik, me tri ditë gara intenzive të 12 ekipeve që marrin pjesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *