VALENTINO KAMBERAJ NGA SHQIPËRIA FITON ETAPËN E TRETË – AGRIKOLA DANIJEL NGA HOLLANDA FITUES I “TOUR OF KOSOVA 2025”

Sot me përfundimin e etapës së tretë u mbyll me sukses gara ndërkombëtare “Tour of Kosova 2025”, e cila, ashtu si edhe në dy etapat paraprake, u zhvillua përgjatë autostradave “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”. Etapa e tretë kishte nisjen nga Hani i Elezit – Ferizaj – Prishtinë – Vërmicë dhe përfundoi në dalje të autostradës Prizren (Jug), në një gjatësi prej 156 km.

Që në fillim, dy çiklistë – Van Den Borche nga Belgjika dhe William Goodfelow nga Kanadaja – u shkëputën nga peletoni, duke krijuar një diferencë prej 2 minutash deri në kilometrin e 70. Megjithatë, pas ritmit të lartë të grupit kryesor, ata u kapën në kilometrin e 80. Pjesa e mbetur e garës u zhvillua me një peleton kompakt, ndërsa tentativat për shkëputje nuk rezultuan të suksesshme. Në finishin me sprint, më i shpejti u tregua çiklisti i kombëtares së Shqipërisë, Valentino Kamberaj, i cili fitoi etapën e tretë.

📊 Rezultatet e etapës së tretë:
• 🥇 Vendi i parë: Valentino Kamberaj (Shqipëri) – 3:36:46
• 🥈 Vendi i dytë: James Dylan Hicks (Angli) – 3:36:47
• 🥉 Vendi i tretë: Georgios Bouglas (Greqi) – 3:36:48

📌 Plasmani gjeneral individual:
• 🏆 Fitues i garës ndërkombëtare “Tour of Kosova 2025”: Agrikola Danijel (Holandë)
• 🥈 Vendi i dytë: Baker Rowan (Angli)
• 🥉 Vendi i tretë: Morgan Edward (Angli)

📌 Plasmani gjeneral ekipor:
• 🥇 MyPad Racing Team (Angli)
• 🥈 Wielerploeg Groot Amsterdam (Holandë)
• 🥉 Vetrapo Bclose Balenzo CT (Belgjikë)

Pas përfundimit të garës, Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK) mori vlerësime jashtëzakonisht pozitive nga ekipet pjesëmarrëse për organizimin e nivelit të lartë dhe standardet profesionale që e karakterizuan këtë edicion.

Mirënjohje të veçantë shprehu edhe komisari kryesor i UCI-së, i cili ishte i deleguar për të monitoruar garën dhe i cili e vlerësoi lart organizimin e FÇK-së.

Federata e Çiklizmit të Kosovës falënderon të gjithë akterët që kontribuan në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë për suksesin e kësaj gare. Një falënderim i veçantë shkon për:
• Policinë e Kosovës, e cila me profesionalizëm të lartë garantoi sigurinë e shtegut gjatë tri etapave.
• Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoritë Komunale të Sportit (DKRS) për mbështetjen financiare dhe logjistike.
• Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për asistencën me stafin mjekësor dhe mbështetje operative.
• Kompaninë Golden EAGLE për ndihmën e ofruar si sponsor kryesor.
• Mediat vendore dhe ndërkombëtare që pasqyruan ngjarjen dhe e promovuan atë.
• Vullnetarët dhe stafin e Federatës, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm punuan pa u lodhur për mbarëvajtjen e garës.

FÇK vlerëson se “Tour of Kosova 2025” dëshmoi edhe një herë se Kosova është e gatshme të organizojë gara të mëdha ndërkombëtare, duke e vendosur vendin tonë në hartën e rëndësishme të çiklizmit evropian.