Takimi teknik para nisjes së “Tour of Kosova”
Në prag të fillimit të garës ndërkombëtare Tour of Kosova, u mbajt takimi teknik me ekipet pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit zyrtarë.
Fjalën hapëse e mbajti presidenti i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, i cili falënderoi të gjithë partnerët për mbështetjen e vazhdueshme, me theks të veçantë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe u shpreh mirënjohës për prezencën dhe angazhimin e të gjitha ekipeve pjesëmarrëse.
Detajet teknike të garës u prezantuan nga drejtori i garës i deleguar nga UCI, Trevor Reed, i cili sqaroi se Tour of Kosova është një garë e kategorisë 2.2 sipas Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit.
Një ndër çështjet e diskutuara ishte edhe zbatimi i rregullave të reja. Reid konfirmoi se sistemi i ri i Kartonit të Verdhe nuk do të aplikohet në këtë edicion të Tour of Kosova, por theksoi se:
“Kjo nuk do të thotë që nuk jemi të fokusuar në sigurinë e të gjithëve në këtë garë, sepse ajo mbetet prioritet absolut.”
Në edicionin e sivjetmë marrin pjesë 15 ekipe me gjithsej 118 çiklistë, të cilët vijnë nga skuadrat elitare evropiane, duke garantuar një nivel të lartë konkurrence dhe spektakli sportiv.
🚴♂️ Me këtë takim, gjithçka është gati për startin e garës më të madhe të çiklizmit në Kosovë.








