LAUREATËT 2019 NË FEDERATËN E ÇIKLIZMIT

Federata e Çiklizmit e Kosovës shpalli në një ceremoni solemne më të mirët e vitit 2019.

Blerton Nuha i klubit të çiklizmit Kastrioti nga Ferizaj, ka marrë epitetin e më të mirit.

Nuha që tashmë është në përgatitje në Antalia, në pamundësi për të qenë i pranishëm, kishte dërguar një përshëndetje përmes video xhirimit, e cila u transmetua për të pranishmit.

Klubet më të mira u shpallën Kastrioti nga Ferizaj, Prizreni dhe Trepça nga Mitrovica.

Përvec klubeve më të mira, të vecuara për punën e tyre, Federata e Ciklizmit i ka nderuar të gjitha klubet e regjistruara, në mesin e tyre edhe një numër të klubeve të reja, që janë anëtarësuar në këtë federatë.

Në këtë ceremoni mirënjohje të vecanta iu ndanë departamenteve të ndryshme në policinë e Kosovës, si për kapitenin Bajram Shabani, njësinë e trafikut dhe atë të motociklistëve, të cilët kanë kontribuar në organizimin e Tour of Kosova dhe garave tjera vendore.

Punëtori më i dalluar i vitit u shpall Gani Nuha, ndërsa epitetin e Pedagogut të vitit e mori Flurim Shala.

Cmimin e trajnerit të vitit e mori Sabri Hyseni i Trepcës nga Mitrovica, ndërsa komisioni vlerësoi dyshen e gjyqtarëve Mexhid Zaskoku e Rafet Gashi, si më të mirët e vitit 2019.

Vitin 2019 kryetari i Federatës së Ciklizmit Avni Nuha e cilësoi të suksesshëm, ndërsa drejtori i departamentit të sporteve të kosovës Ibër Alaj, foli për bashkëpunimin e mirë dhe ftoi edhe donatorët e sponsorët që ti bashkohen komunitetit të ciklizmit.

Me këtë aktivitet Federata e Ciklizmit e Kosovës mbylli edhe zyrtarisht 2019-tën, për të hyrë në vitin olimpik me ambicie për prezantim në lojërat e Tokios.